
Meqenëse bashkësia jonë famullitare e nxori në dritë shenjtoren e madhe Nënë Tereza, në vjeshtë, më 5 shtator 2015, filluam me ditën e kushtimit të shën Nënë Terezës.
Kështu, më pesë të çdo muaji, mblidhemi si bashkësi në orën 18 për kremtimin eukaristik, pas të cilit vijon adhurimi i Jezusit në Sakramentin e Shenjtë të Altarit dhe nderimi i relikteve të shenjtores, e gjithë kjo për të lutur ndërmjetësimin e shën Nënë Terezës në jetën tonë.

Me rastin e kanonizimit të Nënë Terezës në Vatikan, më 4 shtator 2016, me vendim të ipeshkvit Kiro Stojanov, realizuam kremtimin kombëtar „Ditët e shën Nënë Terezës“, nga 5 deri më 11 shtator të po atij viti, përmbajtja e të cilit përbëhej nga ngjarje shpirtërore e kulturore. Ngjarja qendrore e atyre ditëve ishte kremtimi eukaristik falënderues për kanonizimin e bashkëqytetares sonë (11.09.2016), i udhëhequr nga delegati i Atit të Shenjtë, metropoliti i ipeshkvisë së Shkupit, kryeipeshkvi i Sarajevës, Shkëlqesia e Tij Vinko kardinal Puljić. Kremtimi solemn eukaristik u mbajt në sheshin qendror „Maqedonia“, afër shtëpisë ku lindi Nënë Tereza.

Që atëherë, në famullinë tonë, nga 3 deri më 5 shtator vazhdojmë me manifestimin shpirtëror e kulturor „Ditët e shën Nënë Terezës“, kurse ngjarja qendrore është gjithmonë kremtimi liturgjik i 5 shtatorit.
Në nder të kanonizimit të Nënë Terezës dhe të kremtimit në Shkup, argjendarët tanë — kujunxhinjtë — punuan një relikuar për reliktet e shën Nënë Terezës.