
Fjala latine caritas do të thotë dashuria që e jep Hyji. Dashuria e Hyjit është gjithmonë në vepër dhe është e drejtuar drejt së mirës së shoqërisë dhe të afërmit. Në këtë kuptim, Caritas-i famullitar është organi baritor i bashkësisë famullitare, detyra e të cilit është ta gjallërojë, ta bashkërendojë dhe ta dëshmojë atë dashuri vepruese. Caritas-i famullitar është dega e tretë e punës baritore, krahas katekezës dhe liturgjisë, e cila e ndihmon Kishën dhe anëtarët e saj ta jetojnë dashurinë. Veprimtaritë e rregullta të Caritas-it janë:

Organizimi i panairit të Krishtlindjes, mjetet e të cilit u dedikohen familjeve të varfra të famullisë sonë;
Vizita të rregullta te personat e moshuar dhe të sëmurë nga anëtarët e vullnetarët e Caritas-it;
„Duar që sjellin shpresë“, projekt në realizim e sipër, me përmasë e kujdes shpirtëror, shoqëror e mjekësor;
Organizimi i vullnetarëve me rastin e shtegtimit të romëve për kremtimin e Të Ngriturit të Zojës në Qiell;
Organizimi i takimeve për Ditën Botërore të të Sëmurëve dhe të Moshuarve, në festën e Zojës së Lurdit, më 11 shkurt;
Pjesëmarrja në projektet e organizuara nga Zyra Kombëtare e Caritas-it.