Pagëzimi

Pagëzimi është sakramenti i parë, themelor dhe bazë i Kishës. Krishti na e ofroi të gjithëve ne, që të kemi jetë të pasosur. Pagëzimi është sakramenti i fesë. Pagëzimin na e dhuron Jezu Krishti, që përmes tij të na shenjtërojë e të na përfshijë në Kishën e vet. Ai tha: „Shkoni e mësoni të gjithë popujt, duke i pagëzuar në emër të Atit, e të Birit, e të Shpirtit Shenjt!“ (Mateu 28, 19). Përmes këtij sakramenti Jezusi na pastron nga mëkatet — nga ai i origjinës dhe nga ata vetjakë. Me pagëzimin njeriu bëhet krijesë e re, i lindur përsëri prej ujit e prej Shpirtit Shenjt, dhe përmes tij ne futemi në priftërinë mbretërore, bëhemi popull i Hyjit dhe anëtarë të Kishës së tij. Ky sakrament është fillimi i ecjes jetësore të njeriut drejt bashkimit të përjetshëm me Hyjin në dashuri, në qiell. Pagëzimi është themeli dhe dera e sakramenteve të tjera dhe e hireve që marrim përmes tyre.

Pagëzimi i fëmijës

Është e nevojshme:

• pagëzimi të lajmërohet një muaj më parë në zyrën famullitare;

• certifikata e lindjes së fëmijës (kopje);

• vërtetimi i kumbarisë (kumbari/kumbara e merr në famullinë ku jeton);

• të përgatiten qiriri dhe veshja e bardhë.

Pagëzimi i të rriturve

Personat e rritur përfshihen në përgatitjen për pagëzimin e të rriturve, kur i marrin të gjitha sakramentet e nismëtimit (pagëzimin, krezmimin dhe kungimin). Kisha nuk lejon marrjen e sakramenteve të nismëtimit pa përgatitje paraprake. Prandaj, duhet të lajmërohen në zyrën famullitare.