Eukaristia

Prania e Krishtit në fuqinë e Fjalës dhe të Shpirtit Shenjt

„Krishti Jezus, i cili vdiq, po, madje edhe u ngjall, i cili është në të djathtën e Hyjit dhe i cili ndërmjetëson për ne“ (Rom 8,34), është i pranishëm në Kishë në shumë mënyra: në Fjalën e vet, në lutjet e Kishës së vet — „sepse, ku janë dy a tre të mbledhur në emrin tim, aty jam edhe unë ndër ta” (Mateu 18,20) — pastaj ndër të varfrit, në të sëmurët e në të burgosurit (Mateu 25,31-46). Në sakramentet që ai i themeloi, në flijimin e Meshës dhe në personin e shërbëtorit, por „mbi të gjitha është i pranishëm në Eukaristi“.

Mënyra e pranisë së Krishtit në Eukaristi është e papërsëritshme. Ajo e ngre Eukaristinë mbi të gjitha sakramentet dhe e bën „kulm të jetës shpirtërore dhe qëllim drejt të cilit synojnë të gjitha sakramentet“. Në sakramentin e tërëshenjtë të Eukaristisë „përmbahen me të vërtetë dhe në mënyrë substanciale Trupi dhe Gjaku i Zotit tonë Jezu Krisht, me shpirtin dhe me hyjninë e tij, e prandaj edhe i tërë Krishti“. „Kjo prani quhet e vërtetë jo në kuptimin e përjashtimit, sikur të tjerat të mos ishin të vërteta, por për shkak të veçantisë së saj, sepse është substanciale dhe përmes saj është i pranishëm i tërë Krishti, Hyj e njeri.“

Në Koncilin e Trentit feja katolike për këtë përmblidhet në këtë deklaratë: „E, meqë Krishti, Shëlbuesi ynë, për atë që e jepte nën formën e dukshme të bukës tha se është me të vërtetë Trupi i tij, prandaj në Kishën e Hyjit ka ekzistuar gjithmonë bindja, të cilën ky koncil i shenjtë tani e shpall përsëri: përmes shenjtërimit të bukës e të verës ndodh shndërrimi i tërë thelbit (substancës) së bukës në substancën e Trupit të Krishtit, Zotit tonë, dhe i tërë thelbit të verës në thelbin e gjakut të tij. Këtë shndërrim Kisha Katolike e ka quajtur, në mënyrë të përshtatshme dhe në kuptimin e mirëfilltë, transupstancim.“

Prania eukaristike e Krishtit fillon në çastin e shenjtërimit dhe zgjat aq sa zgjatin format eukaristike. Krishti është i pranishëm i tërë në secilën formë dhe në secilën pjesë të saj, kështu që thyerja e bukës nuk e ndan Krishtin.

grant-whitty-Ua4yus9xznA-unsplash-min

Nderimi i Eukaristisë

Në liturgjinë e meshës e shprehim fenë në praninë e vërtetë të Krishtit nën formën e bukës e të verës, ndër të tjera me gjunjëzimin ose me përkuljen e thellë para Zotit. „Kisha Katolike e ka shprehur dhe vazhdon ta shprehë këtë nderim adhurues ndaj sakramentit të eukaristisë jo vetëm në meshë, por edhe jashtë kremtimit të saj: duke i ruajtur me kujdesin më të madh hostiet e shenjtëruara, duke ua paraqitur besimtarëve për nderim solemn dhe duke i bartur në procesion.“ Tabernakulli në fillim shërbente për ruajtjen e denjë të Eukaristisë për të sëmurët dhe për ata që nuk merrnin pjesë në meshë. Por, me thellimin e fesë në praninë e vërtetë të Krishtit në Eukaristi, kisha u bë e vetëdijshme për adhurimin e heshtur para Zotit të pranishëm përmes Eukaristisë. Prandaj tabernakulli duhet të vendoset në një vend të denjë në kishë dhe duhet të jetë bërë ashtu që ta theksojë e ta tregojë të vërtetën e pranisë së vërtetë të Krishtit në sakrament. Është shumë me vend që Jezusi deshi të mbetej i pranishëm në kishën e vet përmes kësaj mënyre të vetme. Ai, kur duhej t'i linte të vetët në pamjen e tij të dukshme, deshi të na e dhurojë praninë e vet sakramentore, sepse e flijoi vetveten mbi kryq për shpëtimin tonë e deshi të na e linte si kujtim atë dashuri me të cilën na deshi „deri në fund“ (Gjoni 13,1), deri te dhurata e jetës së vet. Vërtet, në praninë e vet eukaristike ai mbetet i pranishëm në mënyrë të fshehtë mes nesh si ai që na deshi e që e dha vetveten për ne, dhe këtu mbetet përmes shenjave që e shprehin dashurinë e tij ndaj nesh: Kisha dhe bota kanë nevojë të madhe për nderimin eukaristik, Jezusi na pret në këtë sakrament të dashurisë. Të mos e kursejmë kohën tonë dhe të shkojmë ta takojmë në aktin e adhurimit, në një soditje plot fe e gatishmëri, që t'i mbulojë mëkatet tona të mëdha e të këqijat e botës. Adhurimi ynë le të mos pushojë kurrë. „Prania e Trupit të vërtetë dhe e Gjakut të vërtetë të Krishtit në këtë sakrament nuk mund të njihet me shqisa — thotë shën Toma — por vetëm me fenë që mbështetet në autoritetin e Hyjit.“

Gostia e Pashkëve

Mesha është njëkohësisht kujtim flijues — akti në të cilin përjetësohet flijimi i Kryqit — dhe gosti e shenjtë e kungimit me Trupin e me Gjakun e Zotit. Por gjithçka në kremtimin e flijimit eukaristik është e drejtuar drejt bashkimit më të thellë të besimtarëve me Krishtin përmes kungimit. Të kungohesh do të thotë ta marrësh vetë Krishtin, i cili u flijua për ne.

Altari, rreth të cilit mblidhet Kisha në kremtimin eukaristik, paraqet dy anë të të njëjtit mister: flijoren dhe tryezën e Zotit, aq më tepër që altari i krishterë është simbol i vetë Krishtit, i cili në bashkësinë e besimtarëve të vet është i pranishëm si flijim i ofruar për pajtimin tonë dhe si ushqim qiellor që na dhurohet. „Çfarë është altari i Krishtit, nëse jo shëmbëlltyra e Trupit të Krishtit?“ — thotë shën Ambrozi, kurse në një vend tjetër thotë: „Altari e paraqet Trupin (e Krishtit), e mbi altar është Trupi i Krishtit.“ Këtë njësi të flijimit e të kungimit liturgjia e shpreh në shumë lutje. Kështu, Kisha e Romës lutet në lutjen eukaristike: Me përulje të lutemi, o Hyj i gjithëpushtetshëm, që duart e engjëjve të tu të shenjtë ta bartin (këtë ofertë) mbi flijoren tënde qiellore, para madhërisë sate hyjnore, që të gjithë ne që do ta marrim trupin e gjakun e tërëshenjtë të Birit tënd, si pjesëmarrës të këtij flijimi, të mbushemi me çdo bekim e hir qiellor,

„Merrni e hani prej tij të gjithë“ — Kungimi

Zoti na e drejton ftesën që ta marrim në misterin e Eukaristisë: „Me të vërtetë, me të vërtetë po ju them: nëse nuk e hani trupin e Birit të njeriut dhe nuk e pini gjakun e tij, nuk keni jetë në vetvete.“ (Gjoni 6,53)

Që të mund t'i përgjigjemi kësaj ftese, duhet të përgatitemi. Shën Pali fton në shqyrtimin e ndërgjegjes: „Prandaj, ai që e ha këtë bukë ose e pi kupën e Zotit padenjësisht, do të jetë fajtor kundër trupit e gjakut të Zotit. Por njeriu le ta shqyrtojë vetveten e pastaj le të hajë prej kësaj buke e le të pijë prej kësaj kupe. Sepse ai që ha e pi padenjësisht, ha e pi dënimin e vet, meqë nuk e dallon trupin e Zotit.“ (1 Kor 11,27-29) Kush është i vetëdijshëm për një mëkat të rëndë duhet të rrëfehet para se t'i afrohet kungimit.
Para madhështisë së këtij misteri, besimtari nuk mund të bëjë ndryshe, veçse me përulje e me fe të fortë ta bëjë të vetin pohimin e centurionit dhe të thotë: „O Zot, nuk jam i denjë të hysh nën strehën time, por thuaj vetëm një fjalë e do të shërohet shpirti im.“

Kungimi i shpeshtë

Është plotësisht në pajtim me vetë kuptimin e Eukaristisë që besimtarët, nëse i plotësojnë kushtet e nevojshme, të kungohen sa herë që marrin pjesë në meshë. „Rekomandohet shumë ajo pjesëmarrje më e përsosur në meshë, përmes së cilës besimtarët, pas lutjes priftërore të kungimit, e marrin Trupin e Zotit prej po atij flijimi.“ Kisha i detyron besimtarët „të marrin pjesë në kremtimin hyjnor të dielave e në festa“ dhe ta marrin eukaristinë së paku një herë në vit, sipas mundësisë në kohën e Pashkëve dhe të përgatitur me sakramentin e rrëfimit. Megjithatë, Kisha u rekomandon besimtarëve ta marrin Eukaristinë e shenjtë edhe të dielave e në festa, ose edhe më shpesh, çdo ditë.

Meqë Krishti është i pranishëm në mënyrë sakramentore në secilën formë, kungimi vetëm nën formën e bukës mundëson të merret fryti i plotë i hirit të Eukaristisë. Për arsye baritore kjo mënyrë kungimi u vendos me ligj në ritin latin si më e rregullta. Megjithatë, „Kungimi i shenjtë, i cili jepet përmes shenjave, e ka formën e plotë kur merret nën të dyja format: në atë formë shihet më përsosmërisht shenja e gostisë eukaristike.“ Kjo është forma e rregullt e kungimit në ritet lindore.