Jeta dhe misioni

Гонџа-640x48014203383_10207556864660237_4855913937843902490_n

Anjeza Gonxhe Bojaxhiu lindi në qendër të qytetit të Shkupit, te hyrja e sotme e Qendrës Tregtare, në rrugën e atëhershme „Pop Koçina“ numër 14, në të ashtuquajturën lagje latine, në anën e djathtë të bregut të lumit Vardar. Vajza e re Anjeza Gonxhe, e cila plot entuziazëm u nis nga qyteti i lindjes, Shkupi, drejt Indisë së panjohur, ia kushtoi tërë jetën e vet humanizmit.

Në fillim të shekullit XX, kisha katolike „Zemra e Shenjtë e Jezusit“ në Shkup drejtohej nga urdhri i Jezuitëve. At Franjo Jambreković shpesh u lexonte besimtarëve letra të misionareve nga India e nga Afrika dhe ua përshkruante me gjallëri jetën e tyre. Kështu, ai luajti një rol të madh në vendimin e Gonxhes së vogël për të shkuar në Indi e për t'ia kushtuar jetën Hyjit. Në moshën 12-vjeçare, duke marrë thirrjen nga Hyji, ajo mori vendimin përfundimtar për ta lënë Shkupin. Gjashtë vjet më vonë, 18 vjeçe, ajo u nda nga Shkupi i lindjes.

E dashur, njerëzore dhe energjike, e quajtur shpesh apostullja e dashurisë, e kushtuar lagjeve më të varfra e më të mjeruara të Kalkutës, shkupjania e jashtëzakonshme u bë qytetare e dashur dhe e nderuar e botës dhe kurrë, absolutisht kurrë nuk deshi të fliste për të kaluarën e as për familjen e vet, duke theksuar gjithmonë: „Puna ime, ajo jam unë. — Kjo është ajo që ka rëndësi!“.

Shën Nënë Tereza është fituesja e Çmimit Nobel për Paqe në vitin 1979 dhe vdiq më 5 shtator 1997, në moshën 87-vjeçare. Titullin e Lumja Nënë Tereza e mbajti deri në shpalljen e saj shenjtore, kur Papa Gjon Pali II e kanonizoi më 4 shtator 2016 në sheshin „Shën Pjetri“ në Vatikan.