Martesa

„Hyji e krijoi njeriun sipas shëmbëlltyrës së vet, sipas shëmbëlltyrës së Hyjit e krijoi; mashkull e femër i krijoi. Dhe Hyji i bekoi e u tha: „Bëni fryt e shumohuni, mbusheni tokën dhe sundoni mbi të.” (Zanafilla 1,27-28)

Hyji e themeloi martesën qysh në parajsën e tokës, kur tha: „Nuk është mirë njeriu të jetë vetëm: do t'i bëjmë një ndihmë të ngjashme me të“, e pastaj u tha Adamit e Evës: „Bëni fryt e shumohuni, mbusheni tokën dhe nënshtrojeni.“ Martesën mes të pagëzuarve Jezusi e ngriti në nivelin e sakramentit, duke thënë: „Atë që e bashkoi Hyji, njeriu të mos e ndajë.“

Me sakramentin e martesës u jepet bashkëshortëve pushteti dhe hiri prindëror, që t'i rritin fëmijët e tyre në emër të Hyjit. Lidhja sakramentore martesore zgjat deri në vdekjen e burrit ose të gruas. Sakramenti i martesës është i pazgjidhshëm; ai mund vetëm të shpallet i pavlefshëm nga ana e autoritetit kishtar.

Martesa është një besëlidhje mes dy njerëzve të gjinive të ndryshme, e drejtuar drejt jetës së përbashkët, bashkimit trupor dhe rritjes së fëmijëve. Prandaj Kisha Katolike mëson se martesa është vendosur nga Hyji qysh me vetë krijimin e njeriut, si një institucion i rëndësishëm në planin e tij. Për këtë arsye martesa duhet të jetë një (mes një burri dhe një gruaje) dhe nuk duhet të zgjidhet në asnjë rast. Njësia dhe pazgjidhshmëria janë veti thelbësore të martesës.

DONI TË KURORËZOHENI NË KISHË?

• i fejuari dhe e fejuara duhet të vendosin vetë dhe lirisht për kurorëzimin;

• është e nevojshme të njoftohet famullitari të paktën 6 muaj para kurorëzimit;

• të sillet certifikata e lindjes, jo më e vjetër se 6 muaj;

• Të sillet certifikata e pagëzimit, jo më e vjetër se 6 muaj. Për palën ortodokse, tek ne është e nevojshme që njëri nga prindërit të nënshkruajë një deklaratë për statusin e lirë, domethënë një dëshmi se deri tani nuk keni lidhur martesë kishtare.

• është e nevojshme të ndiqet kursi për të fejuarit dhe të sillet vërtetimi përkatës;

• nga zyrtari i gjendjes civile duhet të sillet vërtetimi për lidhjen e martesës civile:

• të gjitha informatat e tjera lidhur me kurorëzimin (zbukurimi i kishës, muzika, kënga e të tjera) mund t'i merrni në zyrën famullitare.

Nëse vendosni të kurorëzoheni në famullinë tonë, pasi t'i keni mbledhur të gjitha dokumentet e nevojshme, na lajmërohuni për një takim, që ta nisim procedurën e lidhjes së martesës.